Në hotelin “Merkur” në Tetovë, sot Komisioni për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së, realizoi trajnimin e tretë nga gjithsej katër të planifikuar njëditore me  temë: “Implementimi i Ligjit të ri për qasje të lirë në informacione me karakter publik – risi dhe sfida”. Bëhet fjalë për trajnim regjional të organizuar për edukimin e personave zyrtarë të obliguar për ndërmjetësim me informacionet me karakter publik nga më shumë institucione dhe ente në territorin e komunave Tetovë, Gostivar, Tearcë, Bogovinë, Bërvenicë, Jegunoc dhe Mavrovë e Rostushë. Trajnimin e realizuan Inxhi Hoxha dhe Katerina Dimovska – Trajkovska, ligjërues profesionistë nga Sekretariati i Komisionit, në prani të 17 personave zyrtarë të rinj nga njësitë e lartëpërmendura të vetqeverisjes lokale, nga entet shëndetësore, organet e pushtetit gjyqësor, qendrat ndërkomunale për punë sociale si dhe nga entet për arsim të lartë.

Vizitorët (personat zyrtarë) të cilët marrin pjesë drejtpërsëdrejti në zbatimin e Ligjit, u njoftuan me risitë kyçe në Ligjin për qasje të lirë në informacione me karakter publik, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 16 maj të vitit 2019. Si trajnimi i kaluar organizuar nga Komisioni ashtu edhe ky kishte qasje më ndryshe interaktive, interkomunikative dhe qasje dinamike të personave zyrtarë me punë në grupe të vogla. Në këtë mënyrë, vizitorët në trajnim kishin mundësi më të madhe dhe më shumë kohë të debatojnë dhe parashtrojnë pyetje në lidhje me dispozitat e reja ligjore, t’i sqarojnë dilemat dhe të këmbejnë mendime në lidhje me zbatimin e Ligjit.